Mësuesi dibran
Gëzim Aqif Bare u lind më 12 qershor 1962 në Zalldardhë të Dibrës. Vendlindja e tij shquhet për traditat e saj të hershme kulturore dhe arsimdashëse, por edhe për trimëri. Mençuria ishte një nga karakteristikat e burrave të kësaj krahine. Me këto cilësi u edukua edhe Gëzimi, i cili mësimet e para i mori në shkollën tetëvjeçare të vendlindjes. Pasi kreu dhe shkollën e mesme në qytetin e Peshkopisë me rezultate të shkëlqyera, ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në degën bio-kimi dhe u diplomua në vitin 1987. Pas marrjes së diplomës filloi punë si mësues në shkollën e mesme të Zalldardhës, në vitin 1991 caktohet edhe drejtor i kësaj shkolle.
Me ardhjen e demokracisë, kur u bë e mundur lëvizja e lirë e popullsisë, Gëzimi vendoset familjarisht në fshatin Sallmone të Durrësit, ndërkohë emërohet si drejtor i shkollës së mesme të bashkuar të Kullës. Në këtë shkollë ai shquhet si mësues i aftë dhe i dashur, si drejtues me përvojë dhe si intelektual me horizont të gjerë, një ndër intelektualët më të spikatur të shoqatës “Malsia”, organizatë joqeveritare e krijuar dhe e drejtuar nga djemtë e larguar nga malësitë veriore dhe të vendosur kryesisht në Shqipërinë qendrore, veçanërisht në Durrësin bregdetar dhe në Kryeqytet.
Për aftësitë e tij në fillimet e proceseve demokratike një ndër forcat politike e propozoi të kandidonte për deputet. Vështirë e pati kundërshtari politik përballë figurës së mësuesit të nderuar, Gëzimit. Në vendlindjen e tij u zhvillua një garë e vërtetë elektorale, të cilën e fitoi kundërshtari, jo për vlerat e larta, por se përfaqësonte partinë politike më të fuqishme. Dhe dihet botërisht që në vende të vogla si Shqipëria, vota i jepet partisë e jo kandidatit. S' ke si i shpëton kësaj mendësie. Ndoshta do ta ndryshojë e ardhmja.
Në zgjedhjet e kaluara për pushtetin vendor, megjithëse Gëzimi kandidoi përsëri në emër të një partie të vogël, mundi të fitonte si këshilltar bashkiak në qytetin e vogël të Sukthit, në sajë të respektit që ka krijuar te njerëzit si mësues dhe si intelektual i nderuar. Arriti të zgjidhej edhe si zëvendëskryetar i Këshillit Bashkiak në Bashkinë e Sukthit, një sukses tjetër ky falë aftësive të veta intelektuale.
Gëzimi shoqërohet veçanërisht me çamët nisur nga traditat e përafërta të Dibrës e Çamërisë. Është mik i tyre dhe i ngacmon shpesh me humor: Të paktën ju, çamët, nuk duhet të qaheni nga ne, malokët, se ju kemi shpëtuar. Që kur zbritëm ne nga malet dhe erdhëm e u vendosëm në bregdet e nëpër fusha, vendasit i harruan sharjet për juve dhe një e dy shprehen ndaj nesh: “Malokët e dreqit”...
Tërë ata që e njohin shprehen me respekt: “Ky djalë vërtet erdhi nga Malsia, por nuk u soll si malok, si "çeçen", si disa të pakulturuar që zbritën nga malet në periferitë e qytetërimit dhe krijuan veç telashe. Përkundrazi, Gëzimi me zotësinë e tij diti si t’i përshtatej qytetërimit dhe të bëhej pjesë e tij. Tani atë nuk e dallon nga ne. Është njeri i thjeshtë e punëtor. Intelektual i zgjuar e iniciator. Mësues model dhe drejtues i zoti. Djem si Gëzimi e nderojnë shoqatën “Malsia”. Lum si shoqata që e ka!”...
Elim Xanxari
Tuesday, December 1, 2009
Subscribe to:
Posts (Atom)